Solskjaer kërkon transferimin e pesë lojtarëve gjatë verës

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, synon ta transferojë të paktën nga një lojtar në secilën pozitë të skuadrës së tij gjatë afatit kalimtar të verës.

Trajneri norvegjez bëri të ditur se detyra e tij për ta rindërtuar skuadrën e Manchester Unitedit nuk do të jetë e lehtë, pas eliminimit të mbrëmshëm nga Liga e Kampionëve kundër Barcelonës

Kjo punë e vështirë do fillojë qysh në fund të këtij sezoni dhe Solskjaer u ka kërkuar drejtuesve të Manchester Unitedit që të shpenzojnë para për transferimin e të paktën pesë lojtarëve – dy mbrojtës, dy mesfushorë dhe një sulmues.

Deri më tani, Manchester Unitedi ka shprehur interesim për mbrojtësin e Napolit, Kalidou Koulibalyn, qendërmbrojtësin e Real Madridit, Raphael Varanen, mesfushorin e Atletico Madridit, Saul Niguez, si dhe tre lojtarët e talentuar anglezë, Declan Rice, Aaron Wan-Bissaka dhe Jadon Sancho.

Manchester Unitedi e ka qëllim ta ndërtojë një skuadër mjaftueshëm të mirë për ta marrë titullin e Premierligës sezonin e ardhshëm, pasi që këtë sezon nuk kanë arritur të garojnë me Liverpoolin e Manchester Cityn.

“Djajtë e kuq” e shijuan një ringjallje pas emërimit të Ole Gunnar Solskjaerit në pozitën e trajnerit, mirëpo tani kanë pësuar disfatë në pesë nga shtatë ndeshjet e fundit të zhvilluara dhe janë në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës, dy pikë jashtë top katërshes.

Antonio Valencia do të largohet nga klubi këtë verë, ndërsa Ander Herrera besohet se do t’i bashkohet Paris Saint-Germainit. Edhe për të ardhmen e Juan Matas, Alexis Sanchezit, Eric Baillyt, Matteo Darmianit e Marcos Rojos ka dyshim.