Stano për takimin e 19 korrikut Kurti-Vuçiq: E rëndësishme që të vazhdojnë bisedimet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 19 korrik në Bruksel, në një raund të ri të dialogut Kosovë-Serbi në një nivel të lartë politik.

Duke filluar në orën 14:00 të pasdites, delegacionet e të dyja vendeve së pari do të takohen me ndërmjetësuesit e BE-së Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak dhe më pas do të pasojë një takim trepalësh.

Tanjug duke iu referuar burimeve diplomatike raporton se bisedimet janë planifikuar të përfundojnë deri në orën 18:00 të pasdites, por që “kursi dhe kohëzgjatja” e tyre nuk mund të parashikohen në këtë kohë.

“Ky takim do të përqendrohet në përparimin e bërë deri më tani dhe hapat e ardhshëm në dialog, i cili është i rëndësishëm për perspektivat evropiane të Serbisë dhe Kosovës”, thotë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Pas njoftimit nga Brukseli se ky “raund i dytë” i bisedimeve të drejtpërdrejta midis Vuçiqit dhe Kurtit duhet të jetë “i përgatitur mirë” në nivelin e ekspertëve, zëdhënësi i BE Peter Stano theksoi për Tanjug se nuk përfshin vetëm takime publike në Bruksel.

“Është e rëndësishme që ata të vazhdojnë të flasin dhe të mos ketë asnjë pengesë”, theksojnë në Bruksel.

Po ashtu është theksuar se emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak,do të paraqesë fushat ku mund të bëhet përparim, bazuar në biseda eksperto-teknike dhe konsultime shtesë.

Burime diplomatike në Bruksel i thanë Tanjug se të dy palët në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës “e dinë se është e rëndësishme të zgjidhen çështjet e hapura” dhe të arrihet një “konsensus dhe kompromis mbi normalizimin e marrëdhënieve”