Stevo Pendarovski, me votat e shqiptarëve president Maqedonisë Veriore

Stevo Pendarovski, kandidati i LSDM-së, fitoi në raundin e dytë të zgjedhjeve përballë kandidates së pavarur nga VMRO-DPMNE Gordana Siljanoska-Davkova.

Ai është presidenti i pestë i zgjedhur i Maqedonisë, i pari me emrin e ri të shtetit  Maqedonia Veriore, pas zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.

Pendarovski u lind më 3 prill 1963 në Shkup. Është politikan, profesor, analist, docent për siguri ndërkombëtare, politikë të jashtme dhe globalizim në Fakultetin për Shkenca Politike në Universitetin Amerikan Kolegj-Shkup.

Pas mbarimit të arsimit të lartë, emërohet udhëheqës i sektorit për analitikë në Ministrinë për Punë të Brendshme. Për tri vjet ka ushtruar postin e zëdhënësit ndihmës ministër për marrëdhënie me publikun, pranë MPB-së.

Nga viti 2001 është emëruar për shef të sigurisë kombëtare dhe këshilltar për politikë të jashtme në kabinetin e presidentit Boris Trajkovski dhe më pas dhe të kabinetit të Branko Cërvenkovskit.

Stevo Pendarovski gjithashtu ishte kandidat për president nga radhët e LSDM-së në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, ku u radhit i dyti me 398.077 vota të fituara.