Stresi e ofendon Ramën e Bashën i bën thirrje publike Albin Kurtit

Reperi Stresi është shprehur gjithnjë kundër kryeministrit Rama, por këtë herë toneve të tij të ashpra nuk i ka shpëtuar as kryedemokrati Basha.

Marrëveshja e firmosur nga kryeministri Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç për “Shengenin e Vogël” ka revoltuar reperin Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi.

Ai është shprehur gjithnjë kundër kryeministrit Rama, por këtë herë toneve të tij të ashpra nuk i ka shpëtuar as kryedemokrati Basha.

Stresi ka publikuar një foto nga ky takim dhe një tjetër të Bashës në vitin 2010, ku në një dalje për mediat thoshte se ishte pro Shengenit. Bashkangjitur fotove, reperi shkruan se është më mirë të vijë të na udhëheqë lideri i Vetëvendosjes në Kosovë Albin Kurti.

“Te kam dhj*r ne shqipri me ket kryeminister … A po vjen na udhehiq ti O Albin Kurti Ma Mir Ish kan se sa kta komunista pro vucic”, shkruan reperi në Instagram.

Dy ditë më parë liderët e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor zhvilluan një takim, ku diskutuan për lëvizjen e lirë mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Pas takimit, presidenti Aleksandër Vuçiç, dhe dy kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev kanë mbajtur një konferencë për mediat ku edhe kanë shpjeguar të mirat e ‘Shengenit të Vogël’. Në fjalën e tij kryeministri Rama është shprehur se e shkuara duhet lënë pas krahve dhe duhet parë para për t’i siguruar fëmijëve një të ardhme më të mirë. Sipas Ramës, projekti ku lëvizja do të jetë e lirë brenda Ballkanit do të duhet që të mbyllet brenda vitit 2021.