Studentët vijojnë protestë para Kryeministrisë

Teksa kryeministri Edi Rama po zhvillonte bashkëbisedimin me studentë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, studentët e kanë vijuar protestën e tyre në qendër të Tiranës.
“Dje ne kishim takimin me pedagogët dhe dekanin, ku diskutuam rreth problematikave të universitetit dhe për protestën. Lamë vendim unanim nga të gjithë studentët që ishim atje, që nuk ka dialog dhe negociata. Të gjithë ishin njëzëri. Pastaj se mund të dalin militantë të ndryshëm të partive dhe mund të kërkojnë dialog dhe mund të shkojë Kryeministri ashtu siç ka shkuar dhe sot, mund të ndodhë. Sepse askush nuk mund t’i ndalojë studentët e tjerë”, thotë një student.

“Jo, nuk jam pro dialogut, kundër. Prandaj kam ardhur dhe këtu dhe jam me studentët. Kundër dialogut. Bllokuam në fillim disa rrugë 5 minuta, sa për simbolikë bëhet kjo dhe pastaj erdhëm këtu”, thotë një tjetër.

“Nuk ka përse të bëhet dialog, kërkesat janë tepër të qarta. Vetëm të plotësohet kanë ngelur. Freshistat dhe militantë kanë bërë punën e tyre, sado të vogël. E rëndësishme është që të gjithë studentët janë bashkë dhe kjo u shikua edhe dje”, shprehet një tjetër student.

“Nuk ka dialog, do të vazhdojmë me protestën, shpresojmë që edhe pjesëmarrja të rritet, po dialog nuk ka. Do vazhdojmë të qëndrojmë deri sa të jetë edhe studenti i fundit”, tha një tjetër studente.