Surface Phone fleksibil i Microsoftit mund të jetë ende opsion

Puna në pajisjen fleksibile të Microsoftit, të quajtur Project Andromeda, për të cilin besohej të jetë Surface Phone, verën e kaluar u ndalua kur zhvillimi i pajisjes ishte në pikëpyetje. Megjithatë, patenta e zbuluar kohët e fundit, e publikuar nga World Intellectual Property Organization (WIPO), përqendrohet në menteshën e cila mund të përdoret në pajisje, sipas PhoneArena.

Kjo menteshë do të mundësojë që ekrani të rrotullohet për 360 shkallë, ndërsa përdoruesve do t’ua mundësojë që ta shndërrojnë pajisjen në telefon mobil. Ilustrimi me patentën tregon se përdoruesi mund ta hapë pjesën e palosur vetëm pak, për t’i parë videonjoftimet dhe lajmërimet

Vitin e kaluar u sugjerua që Microsofti do të mundë ta prezantojë pajisjen e vet fleksibile deri në fund të vitit 2019. U theksua se modeli do të jetë më i madh se që sugjeronin renderët e mëhershëm dhe se ndoshta nuk do të mundë të futet në xhep. Megjithatë, pajisja i ofron opsionet e thirrjes, e përdor një version të Windowsit dhe mund të jetë arritje e vërtetë për Microsoftin.