Surroi e Shllaku biseduan me udhëheqësit e PSD-së për dialogun me Serbinë

Kryetari dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti dhe Dukagjin Gorani kanë takuar sot në Prishtinë, publicistin Veton Surroi dhe Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv të Fondacionit për Shoqëri të Hapur (KFOS) në Kosovë, njoftoi kjo parti përmes një komunikate për opinionin.

Gjatë takimit u konstatua domosdoshmëria që Kuvendi i Republikës të ketë rol qendror në procesin e dialogut me Serbinë.

Duke e shpjeguar Projekt-rezolutën e paraqitur nga PSD-Nisma-Alternativa, përfaqësuesit e PSD-së vlerësuan nevojën e përfshirjes së shoqërisë civile në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Rezoluta dhe ligji për dialogun mundësojnë përfaqësim gjithëpërfshirës, vendimmarrje konsensuale dhe platformë shtetërore, në përputhje me interesin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës.

Partia Socialdemokrate vlerësoi iniciativën e Surroit dhe Shllakut, për të kontribuar pozitivisht në procesin e dialogut me Serbinë, me mbështetje në ekspertizë strategjike, duke mundësuar resurse nga një spektër i gjerë lokal dhe ndërkombëtar, drejt arritjes së marrëveshjes eventuale për njohje reciproke me Republikën e Kosovës.