“Tagesspiegel”: Gjermania kritika Mogherinit se po e mbështet idenë e shkëmbimit të territoreve Kosovë-Serbi

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini “ka promovuar plane të rrezikshme për shkëmbimin e territoreve (mes Kosovës dhe Serbisë)”, ka thënë zëvendëskryesuesi i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann Wadephul, për “Der Tagesspiegel”.

Në prag të Samitit të Berlinit të thirrur nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron, ku do të jenë prezente delegacione nga Kosova dhe Serbia të përfaqësuara nga presidentët Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq, e përditshmja gjermane ka folur me disa deputetë të Parlamentit, të cilët kanë theksuar qëndrimin e palëkundur të vendit të tyre në raport me mundësinë e shkëmbimit të territoreve.

Përderisa Thaçi dhe Vuçiqi e kanë përqafuar një shkëmbim të paspecifikuar të territoreve mes dy vendeve të tyre si mënyrë e mundshme për normalizimin e marrëdhënieve mes vete, kancelarja Merkel ka qenë shumë kundër, kujton gazeta.

Megjithatë, është thënë se Mogherini është e hapur ndaj kësaj ideje, shkruan kjo gazetë. Ky qëndrim është përballur me rezerva të fuqishme në Gjermani.

“Absolutisht nuk ka garancë se ndryshimi i kufirit apo shkëmbimi i territoreve do të mbetet vetëm në Serbi e Kosovës”, thotë Wadephul, transmeton “europeanwesternbalkans”, shkruan Koha.net.

Sipas tij, një veprim i tillë do të rikthente paqëndrueshmërinë dhe ndasitë etnike në Ballkanin Perëndimor. Madje as konfliktet ushtarake nuk duhet përjashtuar.

Qëndrimin e Wadephulit e ka mbështetur kolegu i tij nga Partia e Gjelbër, Manuel Sarrazin.

“Kufijtë në Ballkanin Perëndimor janë të paprekshëm. Një shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë është temë tabu, dhe duhet të mbesë si e tillë”, thotë ai.

Në anën tjetër, qëndrimi francez ndaj kësaj çështjeje është i hapur për interpretim. Sipas “Der Tagesspiegel”, ish-ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, e ka quajtur shkëmbimin e territoreve “një zgjidhje të mirë”, dhe si e tillë duhet t’u lihet Thaçit e Vuçiqit për ta finalizuar.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë do jenë bashkë me katër liderë tjerë të Ballkanit Perëndimor në një takim në Berlin. Kryeministrat e Kroacisë dhe Sllovenisë pritet po ashtu të jenë të pranishëm.