Talat Xhaferi ka një kërkesë rreth dialogut Kosovë-Serbi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi konsideron që Kosova nuk duhet të lejojë të stërgjatët procesi që e dërgon vendin në një marrëveshje finale me Serbinë. Sipas tij, duhet të gjendet një zgjidhje e pranueshme për popullin e Kosovës.

Pasi Maqedonia arriti të zgjidh konfliktin 30 vjeçar mbi emrin, që e kishte me Greqinë, vendit iu hapën dyert për anëtarësim në NATO.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi thotë se bëjnë përpjeke që edhe Kosova të jetë prezentë në organizatat ndërkombëtare.

Duke iu referuar përvojës së Maqedonisë, në konfliktet që kanë të bëjnë më fqinjët, Xhaferi sugjeron që të shfrytëzohen përvojat e tyre dhe Kosova mos të lejojë të stërgjatët procesi me Serbinë.

Xhaferi ka kërkuar që proceset mos të stërgjatën me dekada

“Si vend fqinj normal që bëjmë përpjekjet që Kosova të jetë prezent në të gjitha organizmat dhe veprimet ndërkombëtare që ndodhin, dhe për këtë arsye mendoj që u takon institucioneve të Kosovës dhe popullit të Kosovës, që edhe duke iu referuar përvojës tonë tre dekadëshe për çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me fqinjë, nuk do mend që sugjerimi është që ato përvoja të shfrytëzohen dhe mos të lejojnë që proceset të stërgjatën me dekada, por të gjendet zgjidhje që do të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës, për institucionet e Kosovës dhe normal për të dy palët për faktin që çështja ka të bëjë me raportet dy palëshe dhe në këtë aspekt… Këto janë çështje për të cilat kurdo duhet të ketë një vendim, marrëveshje, konform asaj çka janë pritshmëritë e qytetarëve”, thotë ai.

Në Kosovë po flitet se një marrëveshje finale me Serbinë do të mund të ndodh brenda këtij viti.

Megjithatë, dialogu aktualisht ka ngecur, meqë pala serbe nuk po i përgjigjet tavolinës në Bruksel pas taksës 100%, që Qeveria e Kosovës i ka vënë produkteve që vijnë nga Serbia, si përgjigje ndaj fushatës së egër të shtetit fqinj në politikën e jashtme të Kosovës.