Turqia ka nisur hetimet ndaj Facebook’ut dhe WhatsApp’it

Bordi turk i Konkurrencës tha se ka nisur një hetim ndaj WhatsApp dhe Facebook, pasi aplikacioni i mesazheve u kërkoi përdoruesve të bien dakord të lejojnë Facebook’un të mbledhë të dhëna të përdoruesit, duke përfshirë numrat e telefonit dhe vendndodhjen.

Në një deklaratë me shkrim, Bordi i Konkurrencës tha se vendosi që kërkesa për mbledhjen e të dhënave duhet të pezullohet derisa hetimi të përfundojë.

WhatsApp rimodeloi kushtet e tij të shërbimit të mërkurën e kaluar, duke lejuar Facebook’un dhe filialet e tij të mbledhin të dhëna të përdoruesit. Afati i fundit për të rënë dakord për kushtet e reja është vendosur në shkurt.

Aplikacionet rivale të mesazheve, Signal dhe Telegram kanë parë një rritje të papritur të kërkesës, që pas “risisë” së WhatsApp.

Qeveria e Turqisë ka targetuar kompanitë e mediave sociale me kufizime dhe gjoba, që kur miratoi një ligj në korrik që thotë se forcon mbikëqyrjen lokale të firmave të huaja. Kritikët thonë se ligji zvogëlon mospajtimin e turqve, të cilët u drejtuan në platformat online, pasi qeveria shtrëngoi kontrollin e saj në mediat kryesore.