Turqia kaplohet nga virusi, shënon rekord të rasteve me Covid-19

Turqia regjistroi shifër rekorde prej mbi 54.700 rasteve të reja të koronavirusit gjatë 24 orëve të fundit. Ky është numri më i lartë i infeksioneve për një ditë që nga fillimi i pandemisë.

Ministria e Shëndetësisë e Turqisë njoftoi se u shënuan 54.740 raste, përfshirë 2.203 raste me simptoma, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të prekurve në mbi 3.6 milionë.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 276 viktima të reja dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve nga pandemia shkoi në 32.943, shkruan Anadolu

Mbi 35 mijë pacientë u shëruan nga Covid-19 në Turqi gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në rreth 3.2 milionë numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Sipas të dhënave më të reja, numri i pacientëve me Covid-19 që janë në gjendje kritike është 2.604.

Sa i përket programit të vaksinimit, mbi 10.5 milionë persona e kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërsa të dyja dozat i kanë marrë mbi 7.4 milionë njerëz.

Për shkak të shtimit të rasteve, Turqia ka vendosur orë policore gjatë fundjavës dhe masa tjera kufizuese në zonat me rrezikshmëri të lartë, përpos masave të posaçme që do të vlejnë gjatë Ramazanit.