U tha se është pjesëtare e komunitetit LGBTI, reagon Aida Dërguti

Ish-deputetja e PSD-së Aida Dërguti, ka thënë se nuk i përket komunitetit LGBTI.

Ajo ka thënë se është nënë vetushqyese dhe se vajzën e saj e ka rritur pa mbështetje institucionale, përcjell Bota sot.

Reagimi i saj vjen pas zërave se është pjesë e LGBTI. Dërguti ka thënë se njerëzit në Kosovë pa dallim, duhet të ndjehen të lirë të shpërfaqin edhe orientimet e tyre seksuale.

Reagimi i saj në Facebook:

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luftuar për çlirim nga Serbia e për liri për qytetarët e saj pa dallim, moshe gjinie, përkatësie fetare e orientimi seksual, të cilët Kosovën e duan si shtëpinë e tyre. Sot, njerëzit e këtij vendi, pa dallim, duhet të ndjehen të lirë të shpërfaqin bindjet politike, fetare e besa edhe orientimet e tyre seksuale. Tashmë shumë herë është thënë: liria e secilit përfundon aty ku fillon liria e tjetrit. Nëse nuk iu pëlqejnë zgjedhjet e të tjerëve, keni mundësi të kënaqeni me zgjedhjet tuaja, për të cilat jeni të lirë.

Ashtu siç e kam mbrojtur të drejtën e grave për shami do të mbroj çdonjërin që ndihet i shtypur e i diskriminuar në këtë shoqëri.

Ndër vite kemi dëgjuar për keqtrajtime të komunitetit LGBT dhe i kemi futur veshët në lesh. Hapni mendjen njerëz, nesër mund të jetë fëmija juaj dhe nuk e di sesi do të veproni në atë rast. Aty ku nuk ka vetëdije, njerëzit duhet të mbrohen me ligj!

P.S. Ndonëse në vazhdën e shpifjeve kundër meje, shpesh jam etiketuar edhe si pjesëtare e këtij komuniteti, po ju them që nuk jam! Jam nënë vetushqyese që me shumë mund e pa mbështetje institucionale kam rritur vajzën time.

Por, si luftëtare e lirisë, do të luftoj kundër padrejtësive dhe do t’i mbroj ata që janë më të dobët në shoqëri.