Update i ardhshëm i madh i Windows 10 më në fund ofron kontroll më të mirë në azhurnime për shfrytëzuesit

Që nga lansimi i parë i Windows 10, ka pasur një varg situatash ku azhurnimet kanë shkaktuar probleme të mëdha. Kjo shkakton mosbesim tek përdoruesit, shumë prej të cilëve kanë përdorur metoda të ndryshme anashkaluese për t’i shmangur plotësisht azhurnimet e sistemit. Në azhurnimin e ardhshëm të Windows 10, kjo nuk do të jetë më e nevojshme pasi që vetë Microsofti do t’ua sigurojë përdoruesve një kontroll më të mirë mbi azhurnimet, përcjell KitGuru.

Azhurnimi Windows 10 May 2019 na pret muajin e ardhshëm dhe ky update do t’i nënshtrohet testimeve më të gjata brenda programit Windows Insider. Kjo do të duhej ta përgatitë Microsoftin për problemet e papritura, me të cilat kompania u detyrua të përballohej pa sukses me azhurnimin e tetorit të vitit të kaluar.

Përveç ndryshimit të përmendur, azhurnimi Windows 10 May 2019 do t’ua mundësojë përdoruesve që ta shtyjnë azhurimin derisa të përfundojë mbështetja. Deri më tani, Microsofti e ka mbështetur zakonisht çdo azhurnim të madh gjatë 18 muajve. Azhurnimet e sigurisë mund të shtyhen deri më 35 ditë, shkruan KOHA Ditore.

Gjithashtu do të përpunohet funksioni Active Hours në Windows 10 – kompjuteri i përdoruesit më nuk do të resetohet dhe të fillojë të azhurnohet derisa është në përdorim.