Vdes themeluesi i platformës për kriptovaluta, bllokohen 190 mln $

Rreth 190 milionë dollarë në kriptovaluta janë “mbyllur” në një vrimë të zezë në internet pasi themeluesi i platformës për monedha virtuale vdiq papritur, duke marrë me vete edhe kodin e qasjes.

Investitorët në QuadrigaCX, platforma më e madhe e Kanadasë për kriptovalutat, nuk janë në gjendje të marrin fondet e tyre mbrapsht, pasi themeluesi i saj, Gerald Cotten, vdiq vitin e kaluar.

E veja e të ndjerit, Jennifer Robertson tha se shërbimi i detyrohet klientëve të saj, afërsisht 250 milionë dollarë kanadezë, ose 190 milionë dollarë amerikanë.

Cotten, 30 vjeç, vdiq në Indi dhjetorin e kaluar nga komplikimet e një sëmundjeje.

Ai ishte në Indi “për të hapur një jetimore për të siguruar një shtëpi dhe strehim të sigurt për fëmijët në nevojë”.

Lajmi pasoi një vendim nga Banka Kanadeze Imperiale e Tregtisë (CIBC) për të ngrirë 28 milionë dollarë të aktiveve të mbajtura nga Quadriga pasi tha se nuk ishte në gjendje të identifikonte pronarët e vërtetë të fondeve.

Robertson nuk ishte e përfshirë në biznes. Në dosjen e saj, ajo vuri në dukje se kishte pasur “një numër të madh komentesh në Reddit dhe platforma të tjera të bazuara në ueb në lidhje me Quadriga, vdekjen e Gerryt (duke përfshirë nëse ai është me të vërtetë i vdekur) dhe monedhat e paguara”.

Ajo tha se kishte marrë edhe kërcënime dhe komente shpifëse.

Platforma vazhdoi të pranonte fonde pas vdekjes së Cottenit, por u ndalua nga drejtorët më 26 janar.

Më 31 janar, QuadrigaCX paraqiti një kërkesë për mbrojtjen e kreditorëve në gjykatën supreme të Nova Scotia, pas muajsh vonesash transaksioni.

Në një seancë gjyqësore më 5 shkurt, kompania kërkon të emërojë Ernst & Young si një monitor të pavarur.