Vendet e rajonit me epidemi fruthi, Kosova e paprekur deri më tash

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2019, në Kosovë janë shënuar shtatë raste të reja me fruth. Këto janë të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, sipas të cilave, në vend, këtë vit nuk ka epidemi fruthi.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka shpallur epidemi fruthi, në gjithë territorin e vendit.

Sipas Komisionit për sëmundjet ngjitëse në Maqedoninë e Veriut, nga fillimi i vitit janë regjistruar katër viktima nga fruthi kurse 961 të tjerë janë infektuar, 60 për qind prej të cilëve janë jashtë Shkupit. Sëmundja ngjitëse më së shumti ka prekur fëmijët.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, përmes një komunikate ka treguar se numri i rasteve të fruthit, të raportuara në mbarë botën në tre muajt e parë të vitit 2019, është trefishuar në krahasim me të njëjtën kohë të vitit të kaluar.

Sali Ahmeti, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se kanë qenë dy raste me fruth gjatë këtij viti që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“Gjatë vitit 2019 nuk kemi pasur raste të shtuara me fruth fatmirësisht. Kanë qenë dy raste që tek ne në klinikë kanë kërkuar ndihmë, ndërkaq gjithsej me sa e di unë kanë qenë shtatë raste”, tha Ahmeti.

Në Kosovë ekziston ligji që i obligon prindërit t’i vaksinojnë fëmijët e tyre deri në moshën 18 vjeçare.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, njëherësh mjek specialist i shëndetit Publik, tha për Radion Evropa e Lirë se Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, harton programin e zgjeruar të imunizimit e që konsiderohet si storie suksesi pasi që përmes këtij programi obligohen me ligj që fëmijët të vaksinohen për shkak të mospërhapjes së sëmundjeve ngjitëse.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova tashmë ka arritur shkallën mbi 95 për qind të vaksinimit.

‘’Rëndësia e këtij programi bëhet gjithnjë më e madhe duke pasur parasysh që në vendet e Evropës, por edhe më gjerë ka pasur shpërthime epidemike duke rënduar shëndetin publik. Në Kosovë nuk kemi pasur epidemi qe disa vite”, tha Hoti.

Ai tutje shtoi se në vazhdimësi, epidemiologë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë dalë në terren për t’i vaksinuar fëmijët e komuniteteve RAE, e që konsiderohet se ata janë të pavaksinuar si pasojë e ndërrimit shumë shpesh të vendbanimeve të tyre.

Ndërkaq, qytetarët mendojnë se është obligim i çdo prindi që t’i vaksinojë fëmijët me kalendar të vaksinimit dhe t’u shmangen sëmundjeve dhe epidemive të mundshme.

Miranda Kadriaj, thotë se është nënë e dy vajzave dhe se vaksinimin e bën me rregull, duke përfshirë edhe atë të fruthit, ndonëse ka pasur debat se kjo vaksinë shkakton autizmin.

“Përkundër faktit që kemi dëgjuar shumë mendime se fëmijët nuk duhet të vaksinohen, pasi po shkakton autizmin, unë si nënë e kam vaksinuar vajzën para gjashtë muajsh atëherë kur edhe i ka mbush vajza 1 vjet dhe e ka pasur kohën e vaksinës kundër fruthit”.

“Kjo për arsye se mendoj se pasojat janë më të mëdha nëse nuk vaksinohen fëmijët. Më pas kam lexuar që vaksina kundër fruthit nuk shkakton autizmin’’, tha Kadriaj.

Në vitin 2017, në Kosovë kanë qenë 871 raste me fruth, derisa viti 2018 është përmbyllur me 94 raste.

Infektologët thonë se për 16 vjet me radhë nuk ishte paraqitur asnjë rast me fruth në Kosovë, deri në muajin mars të vitit 2017, kur edhe kishin filluar të paraqiten rastet e para. E gjithë kjo situatë ka ndodhur pavarësisht që Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindje të lartë të vaksinimit.

Bazuar në të dhënat e autoriteteve vendore, përqindja e lartë e vaksinimit ka rezultuar suksesshëm deri së voni në parandalimin, rrallimin apo edhe zhdukjen e shumë sëmundjeve.

Shumë prindër në disa vende të botës janë duke refuzuar t’i vaksinojnë fëmijët e tyre pasi një studim i publikuar në vitin 1998, i cili më vonë është tërhequr si i pavërtetë, thoshte se vaksina kundër fruthit shkakton autizmin te fëmijët.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përsëritur disa herë se studimi i vitit 1998 ka qenë i manipuluar dhe se nuk ka asnjë fakt shkencor që vërteton se vaksinat kundër fruthit shkaktojnë autizmin të fëmijët.

Në Kosovë epidemiologët nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thonë se vaksina kundër fruthit, sipas të gjitha hulumtimeve të bëra, nuk ka rezultuar se ka efekte anësore.

“Ajo çka jemi ballafaquar në vitin 2017, është pikërisht pasojë e mosvaksinimit të fëmijëve, e që ka pasur propagandë që vaksina kundër fruthit shkakton autizëm. Të gjitha hulumtimet shkencore dhe referencat që janë deri më tani, dëshmojnë se nuk ka fare lidhje vaksina me autizmin. Nuk ka bazë shkencore për efekte anësore, përkundrazi është vaksinë efikase”, ka thënë epidemiologia Isme Humolli për Radion Evropa e Lirë, kohë më parë.

“Në Kosovë tash e shumë vite nuk kemi pasur fruth dhe pikërisht mosvaksinimi ka shkaktuar këtë shpërthim që jemi përballur me fruth dhe nuk do të thotë që edhe më tej nuk do të përballemi”, thekson ajo.

Fruthi është një sëmundje virale infektive që nganjëherë mund të çojë në komplikime të rënda shëndetësore, përfshirë infeksionet në mushkëri dhe tru.

Sëmundja thuhet se mund të parandalohet krejtësisht nëse merren vaksinat e duhura në kohë.

Sipas OBSH-së, Ukraina, Madagaskari dhe India kanë shënuar numrin më të madh të personave të prekur nga fruthi. Dhjetëra mijëra persona për një milion banorë janë prekur në këto vende.

Që nga shtatori, 800 persona kanë vdekur nga fruthi në Madagaskar.