Vepër themelore për studimet ballkanistike

Para se të vinte me këtë vepër kaq të gjerë, e cila, sipas parashikimeve të tij, do të ndiqet dhe me një pjesë të dytë për sistemin emëror, Wilfried Fiedler ka dhënë në shkencat albanistike dhe në raportet shqiptaro-gjermane një ndihmesë me vlerë të shquar. I lindur më 1933 (në Oberfrohna të rrethit Kemnic), pas studimeve për sllavistikë në Berlin, pas një pune të gjatë në Aka­deminë e Shken­­cave të Berlinit (Lindor), ku është marrë me albanologji e ballkanistikë, pas Bashkimit të Gjermanive, ai u zgjodh profesor titullar për albanologji në Universitetin e Mynihut, ku qën­droi derisa u pensionua më 1998. Pas pensionimit ai u ftua si profesor të mban­te mësime të shqipes në Universitetin e Jenës, shkruan sot Koha Ditore.

Më 1991 pro­fe­sor dr. Wilfried Fiedler-i u zgjodh anëtar i jashtëm i Akade­misë së Shken­ca­ve dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa më 2006 anëtar i jashtëm i Akade­mi­së së Shkencave të Shqipërisë. Në botën shqiptare Wilfried Fiedler-i ësh­të i pra­ni­shëm nga viti 1955 në Shqipëri, pastaj si pjesëma­rrës në ve­p­rimtari shken­core herë pas here në Tiranë, ndërsa në Prishtinë dendur qysh nga vi­tet ‘70, pjesë­ma­rrës i Seminarit Ndër­­kom­­bëtar të Gjuhës, Le­tër­sisë dhe Kul­turës Shqiptare dhe i shu­më vep­rim­tarive të tjera aka­demike aty.

Puna që e bëri më të njohur studiuesin Fiedler është vepra e tij e përbashkët me Oda Buchholz “Al­bani­sche Grammatik”, Leipzig, 1987, në të cilën sistemi gramatikor i shqi­pes së sotme vështrohet në tërë gje­rë­­sinë e tij: në fonologji, në struk­turën mor­­folo­gjike dhe në fushën sintaksore.