Veseli: Duhet të punojmë edhe më shumë që Kosova të jetë shembull i sundimit të ligjit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot është takuar me drejtuesit e Policisë së Kosovës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se duhet të punohet edhe më shumë që vendi ynë të jetë shembull i sundimit të ligjit.

Këto komente, Veseli i bëri pas takimit me drejtuesit e Policisë së Kosovës

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Vseli ka shkruar se me drejtuesit e Policisë së Kosovës është diskutuar edhe për kërkesat që pjesëtarët e policisë kanë për pensionimin e parakohshëm, sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor.

Postimi i plotë i Veselit pa ndërhyrje:

Drejtuesit e Policisë së Kosovës i përgëzova sot për punën e jashtëzakonshme në zbatimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për qytetarët tanë.

Duhet të punojmë edhe më shumë që Kosova të jetë shembull i sundimit të ligjit, ku secili trajtohet në mënyrë të barabartë dhe të jemi të pakompromis në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Diskutuam edhe për kërkesat që pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë për pensionimin e parakohshëm, sigurimin jetësor dhe sigurimin shëndetësor.

Këto janë tri segmente tejet të rëndësishme për këtë institucion dhe ne do t’i adresojmë shumë shpejt ato.