Veseli: I besuam drejtësisë ndërkombëtare, mbetem të zhgënjyer

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në seancën e jashtëzakonshme për formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, ka deklaruar se plaga më e madhe e luftës është mungesa e drejtësisë për viktimat e gjenocidit, të cilin shteti serb e ushtroi mbi popullin e Kosovës gjatë luftës.

“Mbi një milion shqiptarë u detyruan të bëheshin refugjatë, ose persona të zhvendosur. 13.535 u vranë. Në mesin e tyre, 1230 fëmijë, përfshirë foshnje. Mijëra gra u dhunuan. Kjo ishte arsyeja pse bota demokratike mori vendim të ndërhynte për ta ndalur pikërisht këtë gjenocid. Përfundimi i luftës gjeti Kosovën me fatin e pazgjidhur të jo më pak se 6.057 personave”, ka thënë ai.

Veseli ka pohuar se për gjitha këto krime dihen me emra dhe mbiemra kryesit e tyre.

“Dihet kush ishin kryetarët e komunave. Dihet kush ishin komandantët e njësive policore dhe ushtarake. Dihen njësitë ekzekutuese. Dihen vendet. Madje, dihen edhe orët e sakta të krimeve. Ka dëshmi të bollshme. Ka fakte, dokumente, dëshmitarë. Te gjithë ata presin të flasin, mos të heshtet. Ata presin të dëgjohen. Të mos harrohen. Ata presin të veprohet për t’i vënë para drejtësisë vrasësit e familjarëve të tyre, vrasësit e fëmijëve të tyre. Çdo shtëpi, çdo rrugë, çdo lagje, çdo fshat, çdo qytet, e di dhe do të flasë. Sepse, të gjithë dhe gjithçka në Kosovë ishte target i gjenocidit serb, vetëm pse ishim shqiptarë”, është shprehur Veseli.

Kryetari i Kuvendit ka pohuar se deri në fundin e vitit 2017, drejtësia ndërkombëtare ishte e vetmja përgjegjëse për trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë.

“Kosova i ka besuar thellësisht drejtësisë ndërkombëtare, në gjithë këto vite. Kemi besuar se krimet gjenocidale të kryera nga Serbia në Kosovë do të marrin përgjigjen e domosdoshme nga mekanizmat e kësaj drejtësie. Por, ne sot ndjehemi thellësisht të zhgënjyer, kur konstatojmë se kjo nuk ka ndodhur”.

Ai ka thënë se është në nderin e Kuvendit të Kosovës që tash të merret vendimi që drejtësia për këto krime të ndodhë.

Kjo, ka thënë ai, duhet të ndodhë për shumë arsye.

“Në radhë të parë, për viktimat e gjenocidit. Në radhë të dytë, për të garantuar se këto krime nuk do të përsëriten më. Në radhë të tretë, për paqen e qëndrueshme në Rajon dhe Europë”, është shprehur Veseli.

Kryeparlamentari Veseli ka dalë me iniciativën që Kosova të fillojë procesin e mbledhjes dhe dokumentimit të dëshmive të gjenocidit serb në Kosovë. Ai ka propozuar që të nisë ky proces dokumentimi, i cili në një fazë tjetër do të pasohet nga përgatitja e akuzave për kriminelët.

“Kam propozuar një seri nismash konkrete, në kuadër të Drejtësisë Tranzicionale, për të zbardhur të kaluarën dhe vënë kriminelët para përgjegjësisë. Kam propozuar ndërtimin e një Muzeu të Gjenocidit, në ish-fabrikën e Tjegullave, i cili do të zhvillojë veprimtari në pesë fusha. Kam propozuar përcaktimin me ligj të një date përkujtuese të gjenocidit, si dhe ndërtimin e një memoriali për këtë tragjedi të popullit tonë. Kam propozuar shndërrimin e Stacionit të Trenit të Prishtinës në Muze të Dëbimit”, ka deklaruar Veseli.

Ai po ashtu, ka thënë se ka ftuar këtë seancë të jashtëzakonshme për të ndërmarrë nismën që lidhet me angazhimin serioz në vënien e kriminelëve përpara drejtësisë dhe sigurimit të drejtësisë për viktimat.

“Propozimi im përfshin një proces ligjor dhe institucional, i cili do të kalojë nëpër disa faza deri ne arritjen e ngritjes se Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb mbi Kosovën, duke filluar me Themelimin e Komisionit Shtetëror që bën konfirmimin, hulumtimin dhe klasifikimin e krimeve të luftës që kanë ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ai.

Veseli i ka ftuar të gjithë që të bëhen bashkë me qëllim për të vendosur drejtësinë për krimet e shtetit serb në Kosovë.

“Këtë e presin mijëra familjarë të viktimave, shqiptarë të vrarë e të masakruar, gratë e dhunuara, nënat dhe baballarët që u janë vrarë fëmijët, e fëmijët që u janë vrarë prindërit e gjyshërit. Këtë e pret tërë Kosova”, ka deklaruar Veseli.

“Gjykata Ndërkombëtare që do të merret me këto krime, e kam thënë, dhe dua ta ritheksoj sot këtë, është e mundur, është e domosdoshme, është e pashmangshme”, ka thënë Veseli.