Veseli nënshkruan vendimin për statutin e ‘Trepçës’

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nënshkruar vendimin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për statutin e ‘Trepçës’.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i koalicionit qeverisës, Kadri Veseli, ka nënshkruar sot vendimin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për statutin e “Trepçës”.

Ky vendim i nënshkruar nga kryeparlamentari Kadri Veseli rikonfirmon pronësinë 100 për qind të Kosovës në kombinatin më të madh metalurgjik në Kosovë, “Trepça”, e cila tani e tutje do të jetë Shoqëri Aksionare me aksione 100 për qind të Republikës së Kosovës.

Një ditë më parë, është diskutuar për idenë e Serbisë se për “Trepçën” mund të diskutohet në dialogun final Kosovë-Serbi por reagimi ndaj kësaj teme ka qenë i ashpër nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

“’Trepça’, as nuk ka qenë, as nuk është dhe as nuk do të jetë çështje e hapur në dialogun me Serbinë. Me këtë gjuhë, BE është duke e rrënuar çdo perspektivë të dialogut dhe fqinjësisë së mirë. “Trepça” është e drejtë natyrore e shtetit të Kosovës. Sot dhe përgjithmonë”, ka thënë Veseli.