Vetëm 7% e shqiptarëve blejnë në internet

Vetëm 7% e popullsisë shqiptare e përdor internetin për të blerë diçka, thotë raporti më i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) sa i përket indeksit të e-commerce për vitin 2019. Kjo është norma më e ulët në Europë. Ky indeks radhit 152 shtetet të ndryshme të globit sa i përket gatishmërisë së popullsisë për të kryer blerje në internet.

Në këtë renditje, vendi ynë zë pozicionin e 75-të në botë ndër 152 shtete, duke u radhitur në vendin e parafundit në Europë, vetëm me Malin e Zi më keq se ne. Të gjitha vendet e tjera europiane dhe të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, që nuk merret në analizë, janë më mire në renditje. Në vendin tonë vlerësohet se 72% e popullsisë e përdor internetin, dhe kjo normë është relativisht e lartë krahasuar me vende të cilat janë më mirë se ne në renditje.

Mes atyre që përdorin internetin vetëm 9% e tyre e shfrytëzojnë për të kryer blerje. Ajo që bën që radhitja e Shqipërisë të jetë ndër 2 vendet e fundit në Europë është pikërisht shërbimi postar, ku grumbullojmë vetëm 49 pikë. Raporti tregon gjithashtu se krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka humbur pikë dhe pozicione, plot 8 të tilla, duke qenë se një vit më parë renditej në vendin e 64-tët në botë.

Në nivel global, Holanda është në vend të parë. Pavarësisht se Kosova nuk renditet në këtë indeks, të dhënat në raport tregojnë se 22% e popullsisë në vend ka kryer të paktën një blerje online gjatë vitit të fundit; normë tre herë më e lartë se në Shqipëri.