Vetëvendosje dhe PSD ende duan që të hetohet SHIK

Sa ishin bashkë në një parti, tash deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, e partisë Social Demokrate patën qenë shumë të zëshëm për hetim të organizatës së njohur si SHIK. Këta të fundit patën mbledhë edhe 32 nënshkrime, që për disa vota minus nuk arritën asnjëherë të krijojnë numrin e mjaftueshëm për të iniciuar hetim. Tash kur VV e PSD kanë ndarë rrugët, për SHIK-un po flitet me akuza se dikush nga këto parti mund të ketë qenë pjesë e organizatës. Pavarësisht kësaj qëndrimi i tyre për hetim ka mbetur i palëkundur. Dy partitë qëndrojnë prapa nënshkrimeve që i kanë dhënë vite më parë, ndërkaq, nga LDK, po thonë se nëse do të marrin një ftesë për nënshkrim, nuk mohohet bashkëpunimi

Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të qëndrojë prapa nismës për hetim të Shërbimit Informativ të Kosovës, të cilën po e përmendin tash e shtatë vite.

Ky qëndrim nuk ka ndryshuar as pas përplasjeve të fundit që po bëhen në mes të shefit të grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufcës e deputetit të PSD-së, Dardan Molliqajt, me akuzat se Konjufca dikur kishte qenë anëtar i kësaj organizate.

Por, nisma e VV’së nuk po gjen pëlqimin që i duhet, pasi që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk po hedhin votën për krijim të komisionit hetimor.

Tash edhe pse të ndarë edhe Vetëvendosje e edhe Partia Social Demokrate po shpresojnë që ndonjë nga partitë do të dalë vullnetare për të dhënë nënshkrimet. Krejt çka ju duhet janë edhe tetë vota, e si rrallë herë ish-bashkëpartiakët do të bashkojnë idetë që dikur i patën menduar bashkë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla ka thënë se kjo parti kishte kërkuar inicimin e nismës për krijim të komisionit, duke përmendur edhe pse kishin dështuar. Deputeti tregon edhe çka konkretisht nënkuptojnë në Vetëvendosje me hetim.

“Që nga mandati i parë, ne kemi kërkuar inicimin e Komisionit Hetimor për SHIK për të kuptuar disa çështje. Së pari lidhur me atë se: Cila ka qenë baza ligjore e veprimtarisë së ShIK-u; Cila ishte struktura dhe përbërja, rregullat e brendshme dhe plani i punës së këtij shërbimi; Cilat ishin procedurat dhe mënyrat e mbledhjes, klasifikimit dhe përdorimit të informacionit; Si janë financuar aktivitetet e punonjësve të ShIK-ut dhe pagat e tyre; Kujt i kanë dhënë përgjegjësi dhe kujt i kanë raportuar krerët e ShIK-ut; A i kanë të arkivuara dokumentet e tyre të punës, përfshirë raportet, informatat, të dhënat tjera në kuadër të veprimtarisë së tyre qoftë të mbledhura vet apo edhe të marrura nga të tjerët; Plani dhe programi i punës dhe aktiviteteve; Veprimet e kryera dhe qëllimet e realizuara ose të parealizuara”, tha Sveçla. Por, krejt këto kërkesa që sipas kërkesës do të mund të zbardhnin veprimtarinë e SHIK-ut kanë mbetur vetëm në letër.

Nisma e fundit që u iniciua për këtë temë pati marrë 32 nënshkrime, duke mos arritur numrin total në 40, ashtu siç e kërkon edhe ligji.

“Ne në asnjë mandat nuk kemi pasur mundësi t’i kemi 40 nënshkrime aq sa kërkohen me Ligj. Kjo ka qenë e pamundur. Aktualisht i kemi vetëm 32 nënshkrime”, deklarohet ai.

Meqenëse bashkë partiaku i Sveçlës në Kuvend, Glauk Konjufca kohëve të fundit u akuzua se kishte qenë në SHIK, kjo nga partia e tij nuk po shihet si pengesë, sepse kurdo herë këta të fundit po shprehen të gatshëm për të vazhduar nismën.

Vetë Konjufca ditë më parë, duke folur mohoi lidhjen me SHIK-un duke i quajtur deklaratat e Molliqajt “film fantastiko-shkencor i dobët”. Deputeti i VV-së, madje mbrëmë edhe hodhi akuza ndaj ish-koleges së tij, deputetës së PSD-së, Aida Dërgutit duke thënë se të gjithë e dinë që ajo kishte qenë pjesë e SHIK-ut.

“Prej të gjithëve në Kryesinë e VV’së, e kemi ditur se vetëm një anëtare ka qenë një kohë të shkurtër në SHIK. Ajo është Aida Dërguti, kolegia e Dardan Molliqajt”, shtoi ai. “Ajo vetë e ka pranuar, e më duket se e ka thënë edhe në media”, tha Konjufca.

Në anën tjetër, në partinë e Shpend Ahmetit, ka deklaruar se vazhdojnë të qëndrojnë prapa nismës që kishin nënshkruar sa ishin së bashku me Vetëvendosjen.

Zëdhënësja e partisë, Natyra Kuçi u deklarua shkurtimisht se vazhdojnë të qëndrojnë prapa nismës për krijim të komisionit parlamentar për hetim të SHIK-ut.

Përveç deklaratave që qëndrojnë prapa nënshkrimeve, as VV e as PSD nuk po marrin ndonjë hap konkret për t’i shkuar deri në fund kësaj pune.

Kjo pasi që këta të fundit, nuk kanë bërë ndonjë ftesë për ndonjërën nga partitë që t’iu bashkohet në nënshkrime.

Kështu thotë edhe, deputeti i LDK-së, Naser Rugova, teksa shton se me koordinimin që kanë momentalisht me VV-në konkretisht edhe për këtë çështje mund të ketë kompromis.

“Kjo ka qenë para një kohe jo në këtë legjislaturë kjo ka qenë në legjislaturën e kaluar me iniciativën e Vetëvendosjes, nuk e kam idenë ku ka mbete ajo iniciativë, e tash me thanë të drejtën nuk kemi pas ndonjë kërkesë si grup parlamentar për nënshkrim të kësaj nisme”, shton ai.

Tutje, Rugova po thotë se sipas tij kjo nismë është gjithsesi e nevojshme, teksa përmend edhe veprimtaritë për të cilat dyshohet SHIK-u.

“Tani nëse vjen ftesa ne jemi grup parlamentar sovran e ulemi e diskutojmë, po gjithsesi me iniciativa të përbashkëta që kemi pas si opozitë mendojmë që mundemi të gjejmë kompromis edhe për këtë çështje dhe unë personalisht, nuk po flas në emër të subjekti konsideroj që ka baza reale që të bëhet një hetim gjithëpërfshirës për një organizatë e cila pothuajse 17-18 vite pas luftës, konsiderohet që ka një rol, në masën më të madhe negativ, bile ka ankesa të lloj – llojshme në drejtim të kësaj organizate. Ne si kuvend kemi të drejtë të bëjmë kërkesë të tillë dhe të hapim procedura të tilla sikurse që kemi konfirmuar komisionet e ndryshme parlamentare”, shton Rugova.

Ndërkohë analistët po e shohin si të pamundur një nismë të tillë, duke u bazuar edhe te pikëpamjet individuale të deputetëve për këtë temë.

Analisti Astrit Gashi po thotë se ata deputetë që janë kundër kësaj nisme dihet se e njohin ekzistencën dhe aktivitetet e saj.

“Pamundësia për të grumbulluar nënshkrimet për hetimin e SHIK-ut tregon edhe pikëpamjet e deputetëve individual dhe partive në raport me ekzistimin dhe funksionimin e tij. Ata deputetë ose parti që janë kundër hetimit të SHIK-ut në këtë mënyrë na bëjnë të njohur se ata e njohin ekzistimin e saj formalisht, i përkrahin aktivitetet e saj dhe janë për të mbrojtur këtë organizatë dhe përbërësit e saj”, kjo sipas Gashit është edhe arsyeja që nuk është arritur mbledhja e votave tash e sa vite.

Gashi po thotë se hetimi i SHIK-ut nuk do të duhej t’i pengonte askujt, përveç atyre që dinë më shumë për disa gjëra që ndoshta nuk duhen të zbardhen.

Lëvizja Vetëvendosje kishte filluar mbledhjen e nënshkrime për krijimin e komisionit hetimor për SHIK-un, fillimisht në vitin 2012-të, duke mbledhur kështu 27 nënshkrime. Edhe në vitin 2015, subjektet opozitare patën filluar mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve, por kjo nismë dështoi pasi ata nuk arritën t’i sigurojnë nënshkrimet e 40 deputetëve sa nevojiten për formimin e komisionit.

Edhe një vit më parë, pavarësisht dy dështimeve, VV pati filluar mbledhjen e nënshkrimeve për hetim të SHIK-ut, duke kërkuar nga partitë tjera që t’i mbështesnin në këtë nismë. Megjithatë, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Në Kuvend të Kosovës, ndërkaq, teksa po diskutohej me tone të ngritura për Shërbimin Informativ të Kosovës, vetë Kadri Veseli pas akuzave për vrasje të komandant Drinit kishte premtuar se i pari do të nënshkruante hetimin e kësaj organizate.

Derisa është folur tash e sa vite për SHIK-un gati të gjitha partitë janë deklaruar se përkrahin nismën, pa bërë asgjë konkrete në këtë drejtim.

Përfundimi i aktiviteteve të organizatës së SHIK-ut u deklarua në vitin 2008-të nga vetë Kadri Veseli.

Veseli gjithashtu kishte thënë se para të merrte detyrën si shef i SHIK-ut në mars të 1999-ës kishte qenë shef i Zbulim-Kundër-Zbulim, një shërbim spiunazhi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas tij, për krijimin e SHIK-ut ishin pajtuar atëkohë edhe Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova.