Vlera e Rashicës po bie, reagon drejtori i Bremenit

Gazeta gjermane Diechstube raporton se vlera e Milot Rashicës në treg po bie vazhdimisht, shkaku i formës aktuale dhe krizës së koronavirusit. Megjithatë, drejtori sportiv i Werder Bremenit nuk shprehet i shqetësuar për këtë gjë.

Para pak javësh, Bremeni shpresonte se do të mundë t’i fitonte deri në 38 milionë euro nga shitja e kosovarit Rashica gjatë afatit kalimtar të verës. Megjithatë, kriza e sjellë nga koronavirusi i ka zbehur këto shpresa, pasi që vlera e të gjithë lojtarëve po bie, shkruan Diechstube

Megjithatë, në rastin e Rashicës, kjo rënie mund të jetë edhe më drastike, nëse Rashica nuk e përmirëson formën e tij pas pauzës dymujore shkaku i koronavirusit. Kur luajti në ndeshjen kundër Leverkusenit, Rashica nuk ishte i njëjti si më parë – për shembull kur i kishte shënuar shtatë gola në dhjetë ndeshje nga shtatori deri në dhjetor të vitit të kaluar, kur vlera në treg ia arriti majën.

Rashica ka kontratë me Bremenin deri në vitin 2022 me klubin gjerman, mirëpo shpreson që këtë verë të transferohet te ndonjë klub tjetër. Edhe Bremeni shpreson ta shesë 23-vjeçarin për shkak të problemeve financiare që i ka.

E përkundër dëmeve financiare që i ka sjellë te klubet e tjera koronavirusi, Bremeni do të synojë të marrë sa më shumë para që të jetë e mundur për shitjen e Rashicës, për vlerën e të cilit nuk janë të shqetësuar.

“Miloti i tregoi cilësitë e tij edhe kundër Leverkusenit. Nuk mendoj se një ndeshje e tillë do të ketë ndikim këtë verë”, ka thënë drejtori sportiv i Bremenit, Frank Baumann.