Vrajolli: Pritjet ndaj FKS-së të jenë modeste

Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe ekspert i sigurisë ka porositur që pritjet ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përballje me epideminë e koronavirusit duhet të jenë modeste, marrë parasysh që FSK-ja ende nuk e ka të funksionalizuar Spitalin Ushtarak.

Ai, përmes një statusi në “Facebook” po ashtu ka bërë të ditur se aktivizimi eventual i FSK-së për të asistuar në këtë krizë humanitare mund të bëhet edhe me vendim Qeveritar, pa shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

Presidenti Thaçi të mërkuren e ka nënshkruar dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, shkaku i koronavirusit. Ai po ashtu e ka përmendur mobilizimin e FSK-së.

“Do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës dekretin për gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme përfshin mobilizimin e tërësishëm dhe maksimal të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi.