Vuçiq, BE-së: Detyrojeni Kosovën ta heq taksën ndaj Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar sot me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian, ambasadorin Sam Fabrici.
Vuçiq i ka thënë Fabricit se shpreson që BE-ja do të bëj përpjekje shtesë për të detyruar Prishtinën të tërheq taksën 100 për qind pasi kjo po e kërcënon paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Ka nevojë për një marrëveshje të qëndrueshme. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën kur taksa të shfuqizohet”, ka deklaruar presidenti serb

Ai ka shtuar se Beogradi është gati të gjejë një zgjidhje kompromisi duke theksuar se nuk ka alternativë për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Tutje, bashkëbiseduesit kanë diskutuar për rrugën evropiane të Serbisë, problemet me dialogun Beograd-Prishtinë, zbatimin e reformave politike dhe ekonomike si dhe problemet globale.

Vuçiq ka thënë se Serbia duhet të vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe kjo është shumë e rëndësishme për t’u mbështetur më tej nga BE-ja.

Fabrici ka theksuar se BE-ja do të vazhdojë të ndërmjetësoje dialogun në mënyrë që të arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes Beogradit dhe Prishtinës.