Vuçiq: Serbia e përkushtuar për një zgjidhje kompromisi me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia është përkushtuar për gjetjen e një kompromisi në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Presidenti serb duke folur në Asamblenë Përgjithshme të KB, me rastin e shënimit të 75 vjetorit të Kombeve të Bashkuara, siç raporton ‘B92’, ka thënë se “duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po mbron edhe të drejtën ndërkombëtare edhe parimet themelore mbi të cilat bazohen Kombet e Bashkuara”.
“Për fat të keq, në fund të shekullit 20, ne në Serbi përjetuam masa dhe veprime të njëanshme, të cilat minuan dhe vunë në pikëpyetje efektivitetin e multilateralizmit dhe mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe vetë të drejtën ndërkombëtare. Institucionet e përkohshme në Prishtinë e shpallën pavarësinë përmes një akti të njëanshëm dhe shkelën Rezolutën 1244 të KB, duke minuar seriozisht sigurinë e Serbisë dhe rajonit në tërësi”, tha Vuçiq.
Ai tha se Serbia është plotësisht e përkushtuar për gjetjen e një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës si dhe ndjek një politikë të përgjegjshme dhe bën përpjekje për të ruajtur interesat e qytetarëve të saj dhe paqen e stabilitetin rajonal.