Vuçiq takon ambasadorët e QUINT-it, flasin për bllokadën e dialogut Prishtinë-Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, sot është takuar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë si dhe me shefin e Zyrës së BE’së, me të cilët ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, situatën në rajon, zgjedhjet që do të mbahen në Serbi si dhe për integrimin evropian.

Në këtë takim është thënë se është e rëndësishme që zgjedhjet në Serbi të zhvillohen në një atmosferë të mirë zgjedhore dhe që partitë politike të bëjnë një fushatë të ndershme në mënyrë që votuesit të jenë të motivuar që të dalin sa më shumë për të votuar.

Temë diskutimi gjithashtu ka qenë edhe bllokada në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe në përgjithësi për situatën në rajon.

Përmes komunikatës së lëshuar nga zyra për media e presidencës serbe thuhet se në takim është theksuar fakti që duhet punuar për të krijuar raporte të mira fqinjësie në mënyrë që të stabilizohet plotësisht situata politike në rajon.

Gjithashtu në këtë takim është diskutuar edhe luftën me pandeminë COVID-19 dhe për situatën ekonomike në Serbi.

Dje gjatë ditës me ambasadorët e QUINT-it është takuar edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.