VV: Edhe pas 6 muajve qëllimisht nuk futet në agjendë parlamentare Raporti i Qeverisë mbi Marrëveshjet me Brukselin

Lëvizja Vetëvendosje thotë se qëllimisht kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nuk e fut në agjendë parlamentare Raportin e Qeverisë mbi Arritjet dhe Sfidat në Zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit, edhe pas gjashtë muajve që kur ky raport kishte arritur në kutitë e deputetëve.

“Gjashtë muaj u bënë sot prej kur Raporti i Qeverisë së Kosovës mbi Arritjet dhe Sfidat në Zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit arriti në kutitë e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ishte data 9 korrik 2018 ajo ditë kur raporti qeveritar me 41 faqe mbi 33 marrëveshjet e dialogut me Serbinë përgjatë viteve 2011-2017 iu dorëzua përfaqësuesve të popullit. Mirëpo, plot gjysmë viti më vonë, edhe sot e kësaj dite, ky Raport ngelet i bllokuar”, thotë Vetëvendosje përmes një komunikate për media

Vetëvendosje akuzon kryeparlamentarin Veseli për mos futjen e Raportit në agjendë, dhe sipas saj këtë e bënë qëllimisht.

“Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nuk e fut në agjendë parlamentare dhe nuk e sjell në seancë plenare për shqyrtim siç bëhet zakonisht me Raportet e Qeverisë. Kjo është e qëllimshme. Dhe, qëllimi nuk është i mirë. Përkundrazi”, thotë Vetëvendosje.