Windows 10 shënon rritje në treg, Windows 7 në rënie

Statistikat e reja, të siguruara nga kompania analitike StatCounter janë për shtatorin 2019 dhe tregojnë se Windows 10 vazhdon të regjistrojë rritje të shitjeve në treg ndërsa Windows 7 është në rënie, raporton Softpedia.

Windows 10 ka arritur të sigurojë rritje nga 59.82% në gusht në 60.65% në shtator, ndërsa Windows 7 në të njëjtën periudhë pati rënie nga 30.92% në 29.39%, shkruan KOHA Ditore. Të gjitha versionet e tjera të Windowsit janë shumë larg prapa, ndërsa Windows XP tani është i pranishëm në vetëm 1.44 për qind të kompjuterëve.

Microsofti kohët e fundit njoftoi se Windows 10 ndodhet në 900 milionë kompjuterë në të gjithë botën, duke sugjeruar që është rritur azhurnimi nga versionet e mëparshme të platformës, ndërsa kjo vlen posaçërisht për Windows 7.

Megjithatë, nuk befason fakti që Windows 7 po humbet pjesëmarrjen në treg, pasi që ky sistem operativ i vitit 2009 nuk do ta marrë më mbështetjen e Microsoftit gjatë janarit të vitit të ardhshëm. Nga këndvështrimi i sigurisë, kjo do të thotë që gjithnjë e më shumë përdorues do të vendosin të kalojnë në Windows 10.