Xavi e komenton mundësinë e transferimit të Griezmannit në Barçë

Ish-mesfushori legjendar i Barcelonës, Xavi Hernandez, i sheh disa probleme të mundshme për transferimin e spekuluar të Antoine Griezmannit nga Atletico Madridi gjatë afatit kalimtar të verës.

Një vit pasi ylli francez e refuzoi Barcelonën për të nënshkruar kontratë të re me Atletico Madridin, Antoine Griezmann është duke ngjallur spekulime sërish

Ai dhe Atletico Madridi e kanë konfirmuar se futbollisti nuk dëshiron ta vazhdojë karrierën me klubin madrilen përtej këtij sezoni. Drejtuesit e Atletico Madridit do të detyrohet ta pranojnë këtë kërkesë të francezit.

Megjithatë, Griezmanni ende duhet ta gjejë një klub të ri, që është i gatshëm ta paguajë klauzolën e tij për shkëputjen e kontratës, 125 milionë euro.

Barcelona do të ishte e përgatitur për ta shpenzuar këtë shumë, megjithatë mediat spanjolle raportojnë se jo të gjithë në skuadër e duan Griezmannin në Barcelonë për shkak të mënyrës se si ai i kishte refuzuar në mënyrë publike para 12 muajve.

Xavi e pranon se kjo mund të jetë një problem, edhe nëse lojtarët nuk kanë asnjë rol në vendimmarrje për transferimin e lojtarë.

“E kuptoj se të lëndon ajo që ndodhi verën e kaluar. Nëse arsyeja për refuzimin nga lojtarët e Barcelonës është vetëm sa i përket aspektit të futbollit, unë do të flisja me ata në zhveshtore për ta kuptuar se cilin lojtar e preferojnë”, ka thënë Xavi.

“Megjithatë, ne duhet ta shohim se kush do ta transferojë atë? Drejtori sportiv? Ernesto Valverde? Presidenti? Nëse unë isha në Barcelonë dhe do ta kërkoja një lojtar… unë mund ta pyes zhveshtoren për mendimin, por në fund do të vendosja vetë. Qoftë kjo për Griezmannin apo për këdo”.

“Një gjë tjetër është nëse trajneri e do apo jo. Atëherë e kemi një problem”.