“Zbulimi epokal” i një figurine në Serbi, e ngjashme me “hyjneshën në fron”

Zbulimi i një figurine në fshatin Vitkovo afër Aleksandrovacit është cilësuar si “zbulim epokal” nga mediat në Serbi. Falë përpjekjeve të pareshtura ndër vite të entuziastëve të muzeut lokal, arkeologia serbe Sanja Crnobrnja-Krasiq ka thënë se bëhet fjalë për “Venusin” më të madh të gjetur deri më sot. Sipas saj, gjetja e së martës duhet të jetë rreth 6 mijë vjet e vjetër.

Sipas vlerësimeve të para, figurina i përket periudhës së vonë të neolitit në kulturën e Vinçës, kurse për lokalitetin arkeologjik është thënë të jetë “më i vjetër se piramidat në Egjipt”

Sipas mediave në Serbi, drejtori i Muzeut në Aleksandrovac, Ivan Brboriq dhe arkeologia Sanja Crnobrnja-Krasiq , së cilës i kreditohet zbulimi, kanë pranuar thirrje nga e gjithë bota.

“Hamendësimet janë konfirmuar se ka pasur një qendër fetare të kulturës së Vinçës në Vitkovo, për shkak se Venusi i gjetur është më e gjatë se 30 centimetra. Ne kemi bërë gjurmime të rregullta të terrenit për shkak se banorëve të fshatit iu nevojitej furnizimi me ujë. Nga fundi i kërkimeve, ne kemi ardhur te zbulimet që do të kënaqin botën – vendi ynë është më i vjetër se piramidat egjiptiane”, citohet të ketë thënë Crnobrnja-Krasiq.

Ajo ka theksuar se konservimi i këtij “zbulimi të mahnitshëm” arkeologjik është në vazhdim e sipër.

Por sipas arkeologëve nga Kosova, kjo figurinë e përbërë nga argjila e pjekur është e njëjtë me idhullin e gjetur te lokacioni “Tjerrtorja” në Prishtinë dhe që është pagëzuar prej vitesh si “Hyjnesha në fron”. E fragmentuar në disa pjesë, figurina e zbuluar në fshatin serb ka formën e njëjtë të trupit me duart e vendosura në bel.

Arkeologu Naser Ferri ka thënë për gazetën se figurina e gjetur në Vitkovo është e njëjtë me ato gjetje gjithandej territorit të Kosovës.

“Është e punuar në të njëjtin stil si figurinat e gjetura në Tjerrtore dhe në disa lokalitete të tjera kosovare (Fafos I e Fafos II, Vallaç, Barilevë) që i përkasin të ashtuquajturit “variant kosovar të kulturës së Vinçës” me të vetmin ndryshim që është më e madhe (30 cm gjatësi) në krahasim me atë të Tjerrtorës (18.5 cm), Fafosit (20 dhe 26 cm), Vallaçit (20.5 cm), dhe të Barilevës (26.5 cm)”, ka thënë ai.