Zbulohet projekti i stadiumit të ri të Interit dhe Milanit, kushton 1.2 miliardë euro

“San Siro” do të jetojë deri në vitin 2024 dhe më pas vendin do ia marrë një projekt i ri, që do ndërtohet në një zonë tjetër të Milanos dhe stadiumi mitik nuk do të presë më ndeshjet zyrtare të Interit dhe Milanit.

“La Gazzeta dello Sport” ka zbuluar sot projektin sesi do të jetë stadiumi i ri dhe detaje të tjera interesante.

Vlera e stadiumit do të jetë 1.2 miliardë euro, me kapacitet 60 mijë vende, por me një hapësirë të madhe për zonë komerciale dhe ambiente të tjera që do jenë në pronësi të stadiumit.

Dy kompani ndërtuese janë duke rivalizuar për të fituar garën e këtij projekti. Janë amerikanët e “Populous” me bazë në Kansas City dhe me zyra në të gjithë botën, me mbi 35 vite në treg dhe me më shumë se 3000 mijë projekte të mëdha në sektorë të ngjashëm.

Ndërsa rivalë të tyre është kompania tjetër “Mainca-Cmr”, gjithsesi flitet se “Populous” është më e preferuar për të iu besuar projekti në fjalë.

Kompania amerikane ka ndërtuar disa nga stadiumet më të mëdha në botë. Duke filluar me madhështinë e “Wembley”, “Emirates” të Arsenalit, “Soccer City” në Johanesburg, që priti finalen e Botërorit 2010, apo stadiumin “Da Luz” të Lisbonës.

Ndër veprat e tyre moderne është stadiumi i ri i Tottenham Hotspur. Një magji e arkitekturës moderne, ku ka të integruar një fushë futbolli dhe një tjetër për ndeshje NFL (futbolli amerikan).

Stadium si qendër e madhe komerciale dhe me akustikë të jashtëzakonshme.

Projekti zyrtar nga dy klubet e Milanos do të prezantohet më 24 shtator dhe më 10 tetor Komuna e qytetit do të japë përgjigjë për interesin publik.