Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, partitë negociojnë në të gjitha anët

Ish-ambasadori Gjorgji Filipov paraqitet i pari në konkursin e Lidhjes Socaldemokrate të Maqedonisë për kryetar shteti. Filipovi pretendon se i plotëson kushtet për kandidat konsensual, edhe pse ka kritika për interpretimin e termit.
“Edhe pse fjala “konsensual” akoma nuk është definuar, sepse për kryetar konsensual nevojitet mbështetja e mbi 75 për qind të qytetarëve apo partive politike, megjithatë kandidati i përbashkët është në lojë dhe këtë do ta shqyrtojnë partitë. Unë nuk jam brenda dhe nuk di për çfarë do të merren vesh. Unë do të flas me të gjitha partitë të cilat promovojnë vlera Evropiane dhe vlerësoj se mund të jem një kandidat i përbashkët”, deklaroi Filipovi.

Socialdemokratët për të martën kanë thirrur mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, ku në rend dite, përveç zgjedhjeve presidenciale janë edhe zgjedhjet lokale në tri komuna dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Partia e kryeministrit Zoran Zaev i demanton informacionet për rezultatet nga anketat e brendshme për kandidatin presidencial të cilat si favorit nxirrnin Stevo Pendarovskin dhe Nikolla Dimitrovin.

Në anën tjetër, VMRO-DPMNE-ja opozitare është duke bërë përgatitjet e fundit për kongresin e 16 shkurtit.

Bashkimi Demokratik për Integrim përveç opsionit me kandidatin e saj apo kandidatin e përbashkët me LSDM-në, nuk përjashton mundësinë që të garojë me kandidat të përbashkët me PDSH-në dhe Besën e Afrim Gashit, edhe pse këta të fundit nuk kanë konfirmuar një gjë të tillë.

Besa e Bilall Kasamit insiston në kandidat të përbashkët me Aleancën për Shqiptarët, por partia e Ziadin Selës akoma është duke shqyrtuar modalitetet.

Më 8 shkurt, kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi shpalli zgjedhjet presidenciale të cilat do të mbahen më 21 prill, ndërsa raundi i dytë eventual më 5 mars.