Zhegrova: Dua të bëhem lojtar i madh

Edon Zhegrova dëshiron të bëhet lojtar i madh në Basel. Ai shpreson t’i jepet mundësia për të luajtur më shpesh, siç bëri fundjavën që shkoi, kur u zgjodh lojtari i ndeshjes ndaj Grasshopperit

Edon Zhegrovës nuk iu nevojit shumë kohë për ta shfaqur potencialin e tij të madh.

Pas fillimit të vështirë në Basel, futbollisti kosovar është i gatshëm ta bëjë hapin tjetër

Përfaqësuesi kosovar debutoi nga minuta e parë për Baselin në ndeshje me Grasshopperin, duke u shpallur lojtari i ndeshjes, ndërkohë që u fut edhe në ekipin e javës në Zvicër.

Tash, ai pret të ketë më shumë hapësira tek ekipi zviceran.

Driblimet, lëvizjet, teknika e përsosur dhe shpejtësia, e veçojnë djaloshin nga Kosova, i cili synon të shënojë edhe gola me Baselin.

“Unë nuk jam kurrë i kënaqur, ka thënë 20 vjeçari për mediat zvicerane

“Unë po mundohem të përmirësohem nga loja në lojë”, shton ai.

Por, kjo është e vështirë të arrihet nëse nuk luan. Që kur iu bashkua Baselit, Zhegrova ka luajtur vetëm në 113 minuta nga 1020 të mundshme.

Mirëpo, ai beson se në të ardhmen do të ketë më shumë mundësi dhe premton se do ta japë më të mirën nga vetja për t’i demonstruar kualitetet e tij.

“Dua të bëhem lojtar i madh i Baselit”, ka përfunduar për “telebasel.ch” ish-futbollisti i Flamurtarit, Prishtinës dhe Genkut, prej nga u transferua në Basel.